Presidentja e shtetit Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Hungari ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e pestë të Komunitetit Politik Evropian. Në këtë takim në Budapest të Komunitetit Politik Evropian do të mblidhen edhe liderë të 47 shteteve nga i gjithë kontinenti.
Zyra presidenciale ka bërë të ditur se në këtë samit, presidentja Osmani bashkë me liderët e tjerë do të diskutojnë mbi sfidat e sigurisë në Evropë, të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, përshkallëzimi i krizës në Lindjen e Mesme, sfidat e migracionit dhe ato ekonomike.
E para e shtetit të Kosovës do të marrë pjesë në dy sesionet plenare të Komunitetit Politik Evropian si dhe do të mbajë dy fjalime, njërin në seancë plenare dhe tjetrin në tryezën punuese për sigurinë ekonomike.
Gjithashtu bëhet e ditur se në kuadër të samitit, Osmani do të zhvillojë edhe takime bilaterale me liderë të tjerë evropianë.
Ndërkohë gjatë qëndrimit në Budapest, shefja e shtetit pritet të zhvillojë takim edhe me mërgatën shqiptare në Hungari.
Komuniteti Politik Evropian është një platformë për liderët evropianë për të diskutuar çështjet kyçe me të cilat përballet kontinenti, nga siguria dhe migrimi te stabiliteti ekonomik dhe mjedisi.
Kjo platformë e nisur në vitin 2022, synon të forcojë lidhjet politike dhe ekonomike në të gjithë Evropën, të ofrojë zgjidhje për sfidat e përbashkëta dhe ta thellojë bashkëpunimin midis vendeve të BE-së dhe jashtë saj.