Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim një delegacion nga Senati i SHBA-ve, i kryesuar nga Jack Reed. Reed është kryesues i Komisionit të Forcave të Armatosura në këtë Senat.
Siç njofton Presidenca, çështja e sigurisë dhe bashkëpunimit kanë qenë temat kryesore në këtë takim.
“Presidentja Osmani ka falënderuar senatorin Jack Reed për mbështetjen e ShBA-ve për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), respektivisht përfshirjen e Kosovës në Asistencën e Trajnimit Ushtarak të SHBA-së me Ligjin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të vitit 2024”, njofton komunikata.
“ShBA-të nuk kanë aleate dhe mike më të madhe në rajon se sa Republikën e Kosovës, e cila e ka popullin më proamerikan në Evropë dhe në botë”, ka theksuar tutje Osmani.
Para këtij delegacioni, e para e shtetit ka theksuar edhe se Kosova vazhdon të jetë e angazhuar për anëtarësim në NATO, Këshill të Evropës, dhe BE.
”Kosova synon për anëtarësim në NATO dhe përfshirje në Partneritet për Paqe (PfP), ndaj është e rëndësishme edhe e domosdoshme mbështetja e SHBA-së në përshpejtimin e këtij procesi. Shpresa jonë është që Kosova të jetë sa më parë në PfP si hap që i paraprinë anëtarësimit në NATO”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Tutje, sipas komunikatës, Osmani ka theksuar se Kosova ka bërë hapa për shtensionimin e situatës në veriun e vendit, porse ka vërë në dukje veprimet destabilizuese të Serbisë dhe bashkëpunimin e saj me Rusinë.
“Ajo, poashtu ka theksuar se Kosova është shtet multietnik, Kushtetuta e së cilës garanton nivel të lartë të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të të gjitha komuniteteve. Sipas Presidentes Osmani këto të drejta dhe liri, janë thelbi i vlerave të shoqërisë së Kosovës dhe si të tilla duhet të mbeten të paprekura”.


























