Sot mbushen 27 vjet nga protestat e Lëvizjes Studentore të vitit 1997.
E Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se 27 vite më parë guximi e vendosmëria e studentëve të UP-së shënoi protestën vendimtare kundër mbylljes dhe okupimit të shkollave shqipe dhe universitetit nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit.
Osmani theksoi se protesta e 1 tetorit ndryshoi rrjedhën e histories dhe ishte moment kyç në historinë e rezistencës në Kosovë.
“Njëzet e shtatë vjet më parë, guximi dhe vendosmëria e studentëve të Universitetit të Prishtinës shënoi protestën vendimtare kundër mbylljes dhe okupimit të shkollave shqipe dhe universitetit nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Protesta e 1 tetorit 1997, ndryshoi rrjedhën e historisë dhe ishte momenti kyç në historinë e lëvizjes së rezistencës në Kosovë. Në krye me rektorin Ejup Statovci, protesta shërbeu si një paralajmërim i hershëm për zhvillimet e mëpasme, të cilat kulmuan me luftën çlirimtare dhe me pavarësinë e Kosovës.” – ka thënë Osmani.
“1 tetori i vitit 1997, është simbol i qëndresës së popullit të Kosovës dhe kujtesë se lufta për liri dhe pavarësi ishte e gjatë, e mundimshme, por triumfale.” – përfundoi ajo.