Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë kërkuar që Ura e Ibrit të mbahet e mbyllur, por që data e hapjes së kësaj ure të vendoset bashkë, bazuar në vlerësimin e sigurisë.
Në një intervistë për “Kallxo Pernime” ajo ka thënë se është në interes të Kosovës që NATO të jetë e pranishme këtu dhe SHBA-të ta vazhdojnë përkrahjen.
“Në asnjë moment Amerika nuk po kërkon ta mbajmë urën mbyllur. Po kërkon që të ulemi bashkë dhe të vendosim datën bashkë duke u bazu në vlerësime të përbashkët të sigurisë. Unë nuk e di kush po e refuzon se unë s’jam prezente në takimet e ambasadorit me Qeverinë”, ka deklaruar presidentja Osmani.
Duke folur për masat që Bashkimi Evropian i ka vendosur ndaj Kosovës në vitin 2023, Osmani ka thënë se javëve të fundit janë njoftuar se disa shtete kanë kërkuar të mbeten në fuqi ato. Ajo theksoi se Gjermania është pro heqjes së masave.
“Javëve të fundit jemi njoftuar se herë një shtet herë një tjetër kanë kërkuar të mbeten masat për shkak të pakënaqësive të tyre për arsye të ndryshme”, ka deklaruar ajo.
Mes tjerash Osmani ka folur edhe për çmimin “M100 Media Award” që do t’i ndahet më 12.09.2024, çmim ky që u jepet personaliteteve që janë të përkushtuar për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit dhe mbrojtjes së vlerave europiane.
Ajo ka thënë se është hera e parë që dikush nga Ballkani Perëndimor e fiton këtë çmim.