Stojanoviq ka bërë thirrje për përgjegjësi penale ndaj Dodik për deklaratat e tij publike, të cilat ai i konsideron ofenduese për boshnjakët dhe që shkelin të drejtat themelore të qytetarëve, të garantuara nga Kushtetuta dhe e drejta ndërkombëtare.
Dodik ka përmendur në një intervistë më 29 prill se zgjidhja për Bosnje e Hercegovinën është që boshnjakët të kthehen në fenë e paraardhësve të tyre, duke e quajtur këtë një mundësi që do të bënte që vendi të ishte me shumicë serbe.
Këto deklarata, që mohojnë identitetin e boshnjakëve dhe i quajnë ata “të konvertuar”, janë cilësuar si të dëmshme dhe nxitëse të urrejtjes kombëtare, fetare dhe racore.
Stojanoviq, i cili ka theksuar se ka një obligim institucional dhe moral për të reaguar ndaj këtyre kërcënimeve ndaj shtetit dhe qytetarëve të tij, ka shpallur se heshtja përballë gjuhës së urrejtjes nuk është një opsion. Ai ka theksuar se Bosnje e Hercegovina është një shtet që mbështetet në vlerat e lirisë dhe barazisë, dhe se është patriotizëm të mbrosh dinjitetin e çdo qenieje njerëzore.
Sipas Kodit Penal të Bosnje e Hercegovinës, nxitja e urrejtjes kombëtare, racore apo fetare është e ndaluar dhe mund të çojë në dënim me burg. Ky zhvillim vjen pas një serie tensionesh politike në Bosnje e Hercegovinë, ku Dodik dhe zyrtarë të tjerë të Republikës Sërpska janë nën hetime për sulme ndaj rendit kushtetues të vendit.



























