Kuvendi i Republikës së Kosovës sot ka mbajtur seancë plenare lidhur me çmimin e energjisë, transmeton Kosova Post.
Në këtë kuadër, deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, teksa është përfshirë në debatin parlamentar për ngritjen e çmimeve të energjiës, ai ka thënë se gjendja në vend është e rëndë dhe e papërballueshme për qytetarët, pasi sipas tij, janë rritur çmimet duke filluar nga ushqimi dhe deri tek gjërat e tjera.
“Sidomos për kategoritë që janë pjesë e skemave sociale, kjo është duke rënduar edhe operimin e bizneseve, këtu duhet të ketë ndërhyrje shteti, pra me përcaktimin e çmimeve për produktet themelore si ushqimi, apo me inspektim por edhe me rezerva shtetërore. Në këto momente e kuptojmë sa i rëndësishëm është prodhimi vendor, dhe se sa i rëndësishëm është stimulimi vendor”.
Më tutje sipas tij, Qeveria e tanishme e ka agjendën politike, dhe jo ekonominë e problemet shqetësuese të qytetarëve, që janë lënë anash.
Ai ka theksuar se Qeveria Kurti nuk ka mbajtur premtimet e saj, duke filluar nga ngritja e pagës minimale e duke vazhduar deri te sigurimet shëndetësore për qytetarët.