Gjykata Themelore Prishtinë, gjegjësisht Departamenti Special, i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të dyshuarit për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe atyre të Policisë së Kosovës më 29 maj të vitit të kaluar në Zveçan.
I pandehuri L.D dyshohet se ka kryer veprat penale “Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese”, “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” si dhe veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, raporton kk.
Gjykata vlerësoi se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, pasi që nëse i pandehuri L.D. lihet në liri, paraqet rrezik që i njëjti të ikë dhe të shmanget nga procedura penale, duke qenë se deri në momentin e arrestimit të tij ka qenë në arrati dhe se i njëjti po ashtu ka nënshtetësi të shtetit të Serbisë, ku edhe punon, dhe në këtë mënyrë do të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë.
Gjykata ka sqaruar rastin:
Ekziston dyshimi i bazuar se me datën 29.05.2023, në intervalin kohor prej orës 06:00 e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit, i pandehuri L.D. së bashku me të pandehur tjerë kanë marrë pjesë aktive në grupin, përkatësisht turmën, e personave, me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, në atë mënyrë që përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit.
Të njëjtit, sipas Gjykatës, edhe përkundër urdhrave të ushtarëve të misionit paqeruajtës të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës dhe refuzim të hyrjes në objektin e komunës, të njëjtit kanë nxitur dhe filluar që të ushtrojnë dhunë të pakontrolluar, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe armë zjarri, nga të cilat janë lënduar të paktën 30 (tridhjetë) pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, 3 (tre) nga ta nga predhat e armëve të zjarrit si dhe duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe në veturat e gazetarëve të cilët kanë mbuluar ngjarjet e kësaj dite,të cilat përfshijnë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtim fizik në masë të madhe, duke shkaktuar rrezik në shkallë të lartë për jetën dhe trupin e shumë njerëzve dhe pasurisë.