Rusia nuk do t’i lërë pa përgjigje sanksionet e shpallura britanike nëse ato miratohen, tha zëdhënësi i presidentit rus, Dmitry Peskov, transmeton Kosova Post.
“Sulmi i një vendi ndaj biznesit rus, natyrisht, nënkupton masa reciproke”, tha Peskov, duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me sanksionet.
Siç tha ai, ato masa do të formulohen “ekskluzivisht në bazë të interesave tona, nëse është e nevojshme”.
Peskov theksoi gjithashtu se kërcënimet e Londrës për konfiskimin e mundshëm të pronës ruse në Britaninë e Madhe janë shqetësuese.
“Këto janë deklarata shumë shqetësuese nga Londra. Nuk mendoj se është shqetësuese vetëm për ne, për kompanitë tona. Kjo sjellje e paparashikueshme e Londrës, përbën problem serioz dhe shqetësues për strukturat ndërkombëtare financiare dhe të biznesit,” tha Peskov.
Zëdhënësi shtoi se “gjërat duhet të quhen me emrin e tyre të vërtetë: sanksionet janë diçka legjitime, e zyrtarizuar me vendimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe në këtë rast është një sulm i hapur ndaj biznesit”, tha ai.
“Të mos harrojmë se shumë kompani ruse janë partnerë strategjik, bashkëinvestitorë strategjikë dhe aksionarë me kompani të mëdha britanike ”, tha Peskov, duke shtuar se Londra “kërcënon, ndër të tjera, edhe bizneset e mëdha të saj ”.
Ai theksoi se “këto janë deklarata shumë shqetësuese që cenojnë atraktivitetin e investimeve dhe atraktivitetin e Britanisë së Madhe si e tillë”.
Kujtojmë se Sekretarja e Jashtme britanike Liz Tras tha më herët se autoritetet britanike do të zgjerojnë sanksionet ndaj Rusisë javën e ardhshme për shkak të situatës rreth Ukrainës.
Kievi dhe vendet perëndimore kanë shprehur së fundmi shqetësimin për rritjen e pretenduar të “veprimeve agresive” të Rusisë pranë kufijve të Ukrainës. Rusia ka mohuar vazhdimisht akuzat nga Perëndimi dhe Ukraina për “veprime agresive”, duke deklaruar se nuk kërcënon askënd dhe nuk synon të sulmojë askënd, dhe deklaratat për “agresionin rus” përdoren si justifikim për të vendosur sa më shumë pajisje ushtarake të NATO-s, në kufijtë rusë, shkruan sputnik. Ministria e Punëve të Jashtme ruse ka përmendur më parë se deklaratat e Perëndimit për “agresionin rus” dhe mundësinë për të ndihmuar Kievin të mbrohet janë qesharake dhe të rrezikshme. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Rusia po lëviz trupat brenda territorit të saj. Sipas tij, kjo nuk kërcënon askënd dhe nuk duhet të shqetësojë askënd./Kosova Post/