Të dielën qytetarët shqiptarë iu drejtuan qendrave të votimit.
Këta votuan për kryebashkiakët e rinj, në 61 bashki të shtetit.
E një ditë më pas, rezultatet e para nxorën Partinë Socialiste fituese ne plot 43 bashki.
Por, në këtë rezultat, analistët thonë se ndikoi presioni mbi votuesit.
“Nga rastet më të spikatura dhe skandaloze dhe të paprecedentë në historinë e zgjedhjeve në një vend relativisht të lirë, ka qenë fakti që kryeministri në gjithë takimet elektorale që ka zhvilluar me mbështetësit e tij nëpër qytete, i ka kërcënuar votuesit që nëse nuk e votojnë kandidatin e tyre, do t’i ndëshkojnë me mosdhënien e fondeve”, tha gazetari, Alfons Zeneli.
E ky presion, sipas Zenelit, ndikoi edhe në daljen e ulët të votuesve në zgjedhje.
“Një numër shumë i madh votuesish potencial e kanë refuzuar votimin, duke e pasur parasysh presionin dhe duke pasur bindjen qe vota e tyre do të manipulohet”, shtoi ai.
Ndërkohë analistët në Kosovë, thonë se të dielën në Shqipëri, kishte votime, por nuk pati zgjedhje.
“Partia socialiste ka bërë të gjitha elementet e mundshme duke përdorur administratën, paranë, influencën dhe grupet e interesit për të paracaktuar procesin e votimit. Kjo ndërhyrje ka shkuar aq thellë saqë edhe raportet me OSBE-në janë të nxira nga këto parregullsi”, tha analisti Tomorr Avdija.
Lidhur me rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Shqipëri, ankesa kishte edhe kreu i opozitës, Sali Berisha.
Ky deklaroi se demokracia në shtetin shqiptar është në krizë.