Një përplasje verbale ka ndodhur sot mes Dardan Sejdiut, ish-nënkryetar i Komunës së Prishtinës, dhe kryetarit aktual, Përparim Rama.
Përplasja erdhi pas dështimit të seancës së Kuvendit Komunal, ku në rend dite ishte propozim-vendimi për vënien në shqyrtim publik të Projekt-dokumentit të Planit Zhvillimor Komunal 2025-2033.
Sejdiu e pyeti Ramën se sa lagje kishte vizituar dhe sa qytetarë ishin njohur me planin zhvillimor. Rama reagoi duke thënë: “Të gjitha lagjet e kanë parë. Njerëzit si ti japin dezinformata dhe rrejnë qytetarët”.
E pas përplasjes verbale, një reagim sërish e ka bërë Dardan Sejdiu, duke thënë se Përparim Rama nuk është më i qetë.
“Përparimi tash e ka një problem, është “pak” nervoz. A ju kujtohet ai “londinezi mellow”, i qetë e i pa ngarkuar? Epo, si duket ai s’është më. Tash vendin e tij e ka zënë Përpi, ky sot që pyetjeve i përgjigjet me sulme personale, e që me fundin e mandatit po e sheh që Prishtina ka zo përtej zyrave të Komunës! Për këtë arsye është nervoz. Për këtë arsye pyetjeve të thjeshta po u përgjigjet me akuza e mllef”, ka shkruar Sejdiu.
Tutje, ai ka shkruar se ” Ani, në rregull jemi. Ama nëse mendon që Prishtina është veç kuvend komunal e ka gabim, e sidomos nëse në fund të mandatit don me ja shtu Prishtinës edhe nja 1 milion m² beton! Boll beton”, vijon reagimi i tij.
Ndryshe, sot ka dështuar të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Kryeqytetit.
Në këtë seancë, pikë e rendit të ditës ka qenë propozim-vendimi për vënien në shqyrtim publik të Projekt-dokumentit të Planit Zhvillimor Komunal 2025-2033.


























