Ramiz Lladrovci, Kryetar i Drenasit, e ka komentuar dorëheqjen e kryetarit të Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Drenas, Sejdi Hoxhës, raporton Kosova Post.
Sipas Lladrovcit, dorëheqja e Hoxhës nuk është lajm i mirë.
Postimi i plotë:
Dorëheqja e z. Hoxha nga kreu i degës së PDK-së në Drenas, nuk është lajm i mirë. Aq më pak, në kohën kur bëhet i ditur akti moral i tij.
Partia Demokratike e Kosovës, niveli qendror e lokal është duke u përgatitur për zgjedhjet lokale. Kjo dorëheqje nuk i bën mirë as degës, as elektoratit e as garës elektorale.
Dorëheqjen e z. Hoxha e shoh me keqardhje edhe si kandidat i PDK-së për mandatin e dytë në krye të Drenasit. Organizimi i strukturave lokale të PDK-së në Drenas ka qenë çdo herë i suksesshëm dhe e kemi dëshmuar me fitoren e përhershme, nga zgjedhjet e para e deri më sot. Këtë e ka dëshmuar edhe z. Hoxha gjatë mandatit të tij.
Gjithsesi, z. Hoxha i uroj sukses në punë dhe vazhdimin e aktivitetit politik, në adresën e vetme dhe të sigurt për mirëqenien e qytetarëve të Drenasit, PDK-në. /KosovaPost/