Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, pas takimit me homologun e tij rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se nisma e drithërave e Detit të Zi duhet të vazhdojë duke adresuar mangësitë që penguan marrëveshjen e pezulluar, njofton Kosova Post.
Presidenti Erdogan ndodhet në një vizite pune njëditore në qytetin bregdetar rus Sochi për të diskutuar me presidentin Putin çështjet aktuale rajonale dhe globale, si dhe lidhjet dypalëshe. Ringjallja e marrëveshjes historike e vitit të kaluar e drithërave të Detit të Zi, që ndihmoi në lehtësimin e krizës globale të ushqimit, ishte një çështje kryesore në takim.
“Ne besojmë se nisma duhet të vazhdojë duke korrigjuar mangësitë e saj”, tha presidenti Erdogan në konferencën e përbashkët për media me presidentin Putin.
Në muajin korrik, Rusia pezulloi pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen e drithërave, të ndërmjetësuar nga Türkiye dhe Kombet e Bashkuar, që kishte për qëllim rifillimin e eksporteve të drithërave nga tre portet ukrainase të Detit të Zi që u ndaluan pas fillimit të luftës në Ukrainë.
Moska është ankuar se Perëndimi ka dështuar në përmbushjen e detyrimeve të veta për eksportet ruse të drithërave dhe se nuk po shkonin mjaftueshëm drithëra ukrainase në vendet në nevojë.
Duke konfirmuar rëndësinë e përmbushjes së kërkesave të Rusisë për eksportet e drithërave dhe plehrave bujqësore të saj, Türkiye thotë se nuk ka alternativë ndaj nismës.
“Alternativat e propozuara ndaj marrëveshjes së drithërave nuk mund të ofrojnë një model të qëndrueshëm, të sigurt dhe të përhershëm të bazuar në bashkëpunimin midis palëve, si nisma e Detit të Zi”, tha Erdogan.

























