Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Serbia që të sqarojë çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve atje. Blloku është në dijeni për shqetësimet e shqiptarëve në jug të Serbisë lidhur me këtë çështje, ka thënë të enjten zëdhënësja për zgjerim në Komisionin Evropian, Ana Pisonero.
“Ne kemi marrë parasysh shqetësimet për pasivizimin e adresave të pjesëtarëve të komunitetit shqiptar në jug të Serbisë. Ne po e ndjekim situatën në dritën e angazhimeve që ka marrë Serbia në kuadër të negociatave për anëtarësim, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me të drejtat e personave që u përkasin pakicave kombëtare”, ka thënë Pisonero.
“Mendoj se e kemi bërë të qartë se autoritetet serbe duhet t’i shpjegojnë më mirë opinionit, se si po kryhen kontrollet e statusit të banorëve, që janë duke rezultuar me pasivizimin e disa adresave, dhe nëse Serbia jugore është në shënjestër në mënyrë specifike në këtë drejtim”, ka shtuar ajo.
Së fundi, Gjykata Kushtetuese në Serbi ka refuzuar ankesën e një banori shqiptar në Medvegjë, për kthimin e adresës së tij.