Partia Demokratike e Kosovës (PDK), i ka kujtuar demonstratat e 6 tetorit të vitit 1968, transmeton Kosova Post.
Në llogarinë zyrtare në rrjetin social Facebook të kësaj partie, këto demonstrata u cilësuan si organizim nëpërmjet të cilit u manifestua vendosmëria e popullit shqiptar për t’i kërkuar të drejtat e tij.
Ky është postimi i plotë:
Më 6 tetor të vitit 1968 parë ndërtesës ku u mbajt Lidhja Shqiptare e Prizrenit filloi demonstrata e parë kundër dhunës dhe politikës shtypëse jugosllave ndaj shqiptarëve duke afirmuar vendosmërinë e popullit shqiptar për të kërkuar të drejtat e tij. Kjo demonstratë u shoqërua nga të tjera demonstrata nëpër trojet e tjera të shqiptarëve të Jugosllavisë, ku u artikuluan për herë të parë kërkesat për Kosovën republikë, për përdorimin e lirshëm të flamurit kombëtar dhe për krijimin e universitetit të Prishtinës.
Demonstratat e vitit 1968, vit që përkonte edhe me 500 vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar Skënderbeut, përbënë një moment të lavdishëm në historinë tonë pasi ringritën vetëdijën kombëtare, ndërkombëtarizuan çështjen shqiptare dhe detyruan pushtetin që të përmbushte një pjesë të kërkesave të popullit shqiptar. Respekt e mirënjohje për atë brez të rinjsh të cilët organizuan ato demonstrata pa u trembur nga terrori policor.