Banorët e disa lagjeve të Pejës po përballen me mungesën e ndriçimit rrugor për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga persona të pandërgjegjshëm dhe mungesës së mirëmbajtjes.
Më 12 mars, banori Sh.Shala raportoi për një defekt në ormanin komandues të ndriçimit në rrugën Azem Lukaj, duke bërë që ndriçimi në atë zonë të mos funksionojë.
Ekipet e mirëmbajtjes nga Komuna e Pejës dolën në terren dhe konstatuan dëmtimin, duke premtuar sanimin e problemit.
Ndërkohë, banorët e rrugëve Hamdi Berisha, Ekrem Berisha dhe Muharrem Gashi ankohen për mungesën e ndriçimit prej kohësh.
Po ashtu, në fillim të rrugës Azem Lukaj, pranë Hotel Kuintit, shtyllat e betonit të thyera nga erërat e fuqishme para pesë vitesh ende nuk janë zëvendësuar.
Kryesuesi i Këshillit Lokal “7 Shtatori”, Kadri Mavraj, ka bërë thirrje publike që Komuna e Pejës të marrë masa urgjente për riparimin e ndriçimit rrugor dhe të realizojë premtimet e dhëna ndaj banorëve lokalë.