Në çfarë bote udhëton lirshëm nëpër kryeqytetet perëndimore një burrë i kërkuar për krime lufte, i pritur me nderime diplomatike, ndërkohë që vetë institucionet që duhet të garantojnë drejtësinë po shpërfillen nga vetë themeluesit e tyre?
Kjo nuk është një pyetje hipotetike. Kjo po ndodh pikërisht tani. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i paditur nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (GjPN) për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, është mirëpritur me duarshtrëngime të përzemërta dhe tapet të kuq nga liderët evropianë.
Hungaria, një shtet anëtar i Bashkimit Evropian, sapo ka njoftuar se do të tërhiqet nga GjPN. Kjo ndodh pikërisht kur Netanyahu ndodhet për vizitë zyrtare në Budapest, duke e kthyer efektivisht Hungarinë në një strehë për një të dyshuar për krime lufte.
Por ku është zemërimi? Ku janë deklarat dënuese nga zyrtarët e BE-së? Nuk ka asnjë stuhi mediatike, asnjë debat serioz politik.
Gjermania, një nga përkrahësit themelues të GjPN-së, gjithashtu e bëri të qartë: nuk do ta arrestojë Netanyahun nëse ai e viziton vendin. Kjo është e njëjta Gjermani që predikon për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, por që për Izraelin bën përjashtim. Kjo nuk është më thjesht hipokrizi, është bashkëfajësi.
Institucionet që pretendojnë të mbrojnë të drejtën ndërkombëtare si GjPN; Kombet e Bashkuara; rendi i ashtuquajtur demokratik liberal, u krijuan në masë të madhe nga fuqitë evropiane.
Por a kanë menduar ndonjëherë t’i shërbejnë drejtësisë? Apo ishin thjesht të dizajnuara për të përforcuar mbizotërimin perëndimor duke ndëshkuar në mënyrë selektive të tjerët?
GjPN-ja, për shembull, ka ndjekur penalisht udhëheqës nga Afrika, Lindja e Mesme dhe Ballkani. Por kur bëhet fjalë për liderët nga Perëndimi apo aleatët e tyre, drejtësia befas shndërrohet në “e ndërlikuar”.
Standardet e dyfishta janë verbuese. Izraeli mund të kryejë mizori pa asnjë ndëshkim, ndërsa të tjerët që i rezistojnë shtypjes trajtohen si kriminelë.
Kjo nuk është vetëm një tradhti ndaj së drejtës ndërkombëtare, është një tradhti ndaj vetë idealeve që Perëndimi pretendon se përfaqëson.
Demokracia perëndimore në krizë
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian vizitoi së fundmi Izraelin, ku pati guximin ta quante Izraelin një “partner shumë të mirë”.
Partner i mirë në çfarë, konkretisht? Në kryerjen e krimeve të luftës? Në spastrimin etnik? Në sfidimin e së drejtës ndërkombëtare? Si mundet BE-ja, që pretendon se mbron të drejtat e njeriut dhe demokracinë, të përqafojë një qeveri që është aktivisht e angazhuar në shkatërrimin e një populli të tërë?
Ky nuk është thjesht një dështim diplomatik. Është ekspozimi i një sistemi të ndërtuar mbi gënjeshtra. Perëndimit i pëlqen të mbajë leksione për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.
Por ajo që po shohim sot tregon se këto vlera vlejnë vetëm kur u shërbejnë interesave perëndimore. Të njëjtat qeveri që justifikojnë fushatat bombarduese në emër të demokracisë, nuk e kanë aspak problem ta mbrojnë Netanyahun nga drejtësia.
Të njëjtat media që e portretizojnë rezistencën palestineze si “terrorizëm”, refuzojnë t’i quajnë veprimet e Izraelit me emrin që meritojnë: gjenocid.
Ndërkohë, në SHBA, studentët që guxojnë të protestojnë kundër gjenocidit në Gaza po arrestohen, po heshten dhe po demonizohen. Universitetet, që dikur krenoheshin si fortesa të fjalës së lirë dhe mendimit kritik, tani po bashkëpunojnë me shtetin për të shtypur zërat e ndërgjegjes.
Studentët janë prangosur, tërhequr zvarrë dhe pezulluar vetëm sepse kërkuan drejtësi për palestinezët. Mesazhi është i qartë: të mbështetësh kriminelë lufte si Netanyahu është e pranueshme, por të ngrihesh kundër gjenocidit është një krim që duhet ndëshkuar.
Kjo nuk është diçka e re. Fuqitë perëndimore e kanë përdorur prej kohësh demokracinë si armë, si një mjet për të justifikuar luftërat, ndërhyrjet dhe shfrytëzimin ekonomik.
Por ajo që po shohim sot është më e përhapur dhe më e ekspozuar se kurrë më parë. Maska ka rënë. Rendi i ashtuquajtur liberal botëror është zbuluar për atë që është në të vërtetë: një perandori e ndërtuar mbi drejtësi të përzgjedhur, hipokrizi dhe luftë të pafund.
Një trashëgimi koloniale që nuk përfundoi kurrë
Ajo që po dëshmojmë sot nuk është një përjashtim, por vazhdimësia e një mentaliteti kolonial që kurrë nuk u zhduk. Ekspansionizmi perëndimor ka ndodhur gjithmonë në kurriz të popujve me ngjyrë. Gjuha ka ndryshuar, por veprimet janë të njëjta.
Shekuj më parë, perandoritë evropiane justifikonin pushtimet duke thënë se po “qytetëronin” botën. Sot, arsyetimi është “mbrojtja e demokracisë”.
Por, qoftë sundimi kolonial britanik në Palestinë, imperializmi francez në Afrikë apo luftërat amerikane në Lindjen e Mesme, qëllimi ka qenë gjithmonë i njëjtë: kontroll, shfrytëzim dhe shtypja e rezistencës.
Izraeli është projekti i fundit kolonial i vendbanimeve në botën moderne, dhe Perëndimi do të bëjë gjithçka për ta ruajtur atë. Pse? Sepse Izraeli shërben si zgjatim i hegjemonisë perëndimore në Lindjen e Mesme.
Ai është një postë ushtarake, një mjet për të shtypur vetëvendosjen palestineze dhe për të ruajtur kontrollin mbi rajonin. Kjo është arsyeja pse rregullat që vlejnë për vendet e tjera, nuk vlejnë për Izraelin.
Kjo është arsyeja pse Netanyahu mund të udhëtojë lirshëm, ndërkohë që palestinezët përballen me gjykime dhe burg për thjesht faktin se ekzistojnë nën pushtim.
Koha për t’i dhënë fund iluzionit
Besueshmëria e Perëndimit po shembet. Hipokrizia është shumë e dukshme për t’u injoruar. Ata prej nesh që kanë qenë të vëmendshëm e kanë ditur këtë gjithmonë, por tani, edhe pjesa tjetër e botës po fillon ta shohë.
Nëse Perëndimi don të merret seriozisht, atëherë duhet të jetë i gatshëm të zbatojë të njëjtat standarde për të gjithë.
Nuk mund të pretendojë se mbron demokracinë ndërkohë që mbështet aparteidin. Nuk mund të predikojë për të drejtat e njeriut ndërkohë që financon gjenocidin. Nuk mund të flasë për sundimin e ligjit, ndërkohë që lejon kriminelët e luftës të ecin të lirë.
Gjëja më e vogël që mund të bëjë Perëndimi është të ndalojë së na bombarduari me versionin e tij të “të drejtave të njeriut”. Nëse demokracia nuk është gjë tjetër veçse një mjet për të justifikuar imperializmin, atëherë le të mos shtiremi më ndryshe.
Sepse në këtë moment, Perëndimi nuk është mbrojtës i demokracisë. Është një tallje./trt