Lojërat Olimpike Dimërore 2022 në Pekin ishin një sukses i madh për sportistët norvegjezë, të cilët fituan 16 medalje të arta, transmeton KosovaPost.
Pas Norvegjisë, në vend të dytë për nga numri i medaljeve u renditet Gjermania me 12 medalje të arta.
Megjithatë këto lojëra u mbajtën nën hijen e rëndë të pandemisë dhe pa shikues. Lojërat u karakterizuan gjithashtu nga kritikat ndaj Kinës mikpritëse për shkeljen e të drejtave të njeriut.
Presidenti i Kinës, Xi Jinping dhe presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Thomas Bach, i quajtën të suksesshme këto lojëra duke njoftuar se organizimin e kanë ndjekur rreth 346 milionë njerëz. Edhe pse ata folën për sukses të madh sportiv në këto lojëra, ka pasur edhe 437 raste pozitive me COVID-19 duke e bërë të pamundur për shumë sportistë që të realizojnë ëndrrën e tyre dhe të garojnë në lojërat olimpike, pavarësisht faktit se për këtë janë përgatitur me vite të tëra.
Ndërsa sportistët më të sukseshshëm të këtyre lojërave olimpike me nga pesë medalje ishin: biatletët Johannes Thingnes Bö dhe Marte Olsbu Röiseland nga Norvegjia; Quentin Fillon Maillet nga Franca, si dhe vrapuesi me ski Alexander Bolshunov nga Ekipi i Sportistëve Rusë (ROC).
Një sukses të jashtëzakonshëm ka shënuar edhe Finlanda, e cila për herë të parë fitoi titullin olimpik në hokej mbi akull, pasi në finale mposhtu Ekipin e Sportistëve Rusë.
Në këtë olimpiadë dimërore janë regjistruar deri tani edhe 3 raste të dopingut.
Në përputhje me traditën olimpike, flamuri olimpik u ul me ceremoni dhe iu dorëzua Presidentit të IOC-së, Bach, i cili më pas ua dha atë z. Beppe Sala dhe z. Gianpietro Ghedina, respektivisht kryetarë të bashkive të Milanos dhe Kortinës, qytetet që do të presin Lojërat Olimpike Dimërore të ardhshme.
Pasi Italia mori në dorëzim flamurin olimpik, u organizua një shfaqje kërcimi modern dhe u shfaq një film që promovonte Lojërat Olimpike të Milanos dhe Kortinës.
Perdja e Lojërave Olimpike Dimërore – Pekin 2022 u mbyll pasi pishtari olimpik, i cili u ndez në mes të një fjolle bore gjigante në ceremoninë e hapjes, u ul në tokë dhe u shua./trt