Ka përfunduar në Bruksel takimi mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në nivel negociatorësh.Siç raportohet nga Brukseli nuk ka pasur ndonjë rezultat konkret.
Bislimi ka deklaruar se në agjendë kanë qenë disa tema që lidhen kryesisht me dokumentet që Lajçak ka sjellë në Prishtinë e Beograd.
Sipas Bislimit këto dokumente kryesisht kanë pasur të bëjnë me temën e të zhdukurve në luftë.
Zëvendëskryeministri tha se edhe për temën e Asociacionit është diskutuar.
Ai tha se koha nuk ka qenë e mjaftueshme për të shqyrtuar propozimet e sjella nga Lajçaku gjatë vizitës së fundit në Prishtinë.
Ky është takimi i parë i kryenegociatorëve pas takimit në nivel të lartë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel.
Në atë takim, liderët politikë u pajtuan për deklaratën e përbashkët për të zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë dhe aty u prezantua nga Ekipi Menaxhues drafti i parë i statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Lajçak takimin e së hënës e përgatiti përmes vizitave javën e kaluar në Kosovë dhe Serbi.