Në qendrën e numërimit të votave të hënën ka pasur një përplasje mes Sami Kurteshit dhe koordinatorit të vëzhguesve të AAK-së. Shkas i përplasjes ishte një votë të cilës i ka munguar subjekti i fundit.
Anëtari i KQZ-së Sami Kurteshi, gjatë numërimit të fletëvotimeve të ardhura me postë është akuzuar nga koordinatori i vëzhguesve të AAK-së, se ka tentuar për të ndikuar në shpalljen e vlefshmërisë së një vote ani pse ajo kishte qenë e prerë poshtë.
Lavdim Mehani, vëzhgues i AAK-së në KQZ tha se ka pasur shumë fletëvotime të cilave u ka munguar subjekti i fundit dhe janë shpallur të pavlefshme. Por, tani sipas tij tani ku po dëmtohet subjekti i VV-së, ata po mundohen të ushtrojnë ndikim tek komisionarët në tentim që ta ndërrojnë vendimin e tyre, në mënyrë që këto vota të numërohen si të vlefshme.
“Sot e patëm një ballafaqim me Sami Kurteshin i cili insistonte tek komisioneri ose numëruesi i cili është punëtor i KQZ-së me u shpallë e vlefshme një votë, e njëjtë me ato që më herët janë shpallur të pavlefshme. Gjatë ballafaqimit i thash se përfaqësuesit e partive tjera, shembull përfaqësuesin e AAK-së, Ibrahim Selmanaj nuk e sheh asnjëherë duke ardhur në tavolinë e duke kërkuar me u shpallë e vlefshme apo e pavlefshme derisa jemi me vëzhguesit e partive aty. Është mirë të flitet me vëzhguesit e jo me komisionerin sepse llogaritet si ndikim, meqenëse ai është punëtor i KQZ-së e ju jeni një vendimmarrës në këtë institucion”, shpjegoi Mehani.
Anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi në Qendrën e Numërimit të Votave u përplas edhe me vëzhguesin e LDK-së, Egzon Pacollin. Por, Kurteshi u tha mediave se nuk e vendos askush përpos komisionerëve për votën në fjalë dhe se nuk po u bënë presion komisionerëve. Sipas tij, komisionerët po kryejnë punën me nder, e nuk kanë nevojë të frikësohen nga anëtarët e KQZ-së, derisa iu ka drejtuar komisionerit në fjalë se mund të ankohet në PZAP.