Jo vetëm me fëmijët palestinezë, por edhe me ata jemenas, ujgurë, afrikanë dhe kudo tjetër ku jetët e tyre kërcënohen nga gjenocidi, krimi e dhuna…
Shkruan: Imer Topanica
Ndërsa Organizata Amnesty International i ka cilësuar si «krime lufte», vrasjet e palestinezëve të shkaktuara nga bombardimet e Izraelit, mediat më prestigjioze botërore kanë filluar të rreshtohen në anën e të shtypurve. New York Time-s para disa ditësh publikoi një editorial ku ndër të tjera shkruante për të drejtën e refugjatëve palestinezë për t’u kthyer në tokën e tyre. Bombardimi i godinës ku ndodheshin zyrat e Associated Press (AP), Al Jazeera-s (AJ), dhe mediave të tjera që raportonin nga vendi i ngjarjes, ka shkaktuar një zemërim të madh në komunitetin e mediave dhe gazetarëve ndërkombëtarë. Madje akti i bombardimit, pritet t’i ulë autoritetet izrarlite në bankën e të dyshuarve, nën akuzën se kanë kryer krime lufte. Megjithatë, në Kosovë, ka gazetarë dhe media që janë pro – izraelitëve, duke u mbrojtur pas deklaratës: Shteti i Izraelit ka të drejtë të mbrohet nga sulmet e Hamasit!
Deri më tani, nga pala palestineze, janë raportuar 59 fëmijë dhe 35 gra. Numri i përgjithshëm i të vdekurve ka shkuar në 200 për pak ditë. Ndërsa nga pala izraelite, shifra e të vdekurve është dukshëm më e vogël (deri vonë janë raportuar 10 të vrarë).
Pra a ishin 59 fëmijët e vrarë, bashkë me zyrat e Al Jazeeras, AP-së dhe mediave të tjera, anëtarë të Hamasit?
Kjo është një pyetje, që nuk ka nevojë për përgjigje.
Por pse çështja e Palestinës, e Jemenit, e Al Aksas, është bërë edhe e jona?
Sheshet kryesore të metropoleve botërore janë mbushur me parulla pro Palestinës, duke iu bërë thirrje qeverive të vendeve të fuqishme, që ta detyrojnë Izraelin që t’i ndalë bombardimet. Është e qartë që rreshtimi ynë pro ose kundër, s’ka impakt në zhvillimet atje, por më shumë është një debat i brendshëm shoqëror, i cili është imponuar nga disa qarqe mediatike anti-islamiste. Pra, pozicionimi ynë si pjesëtarë të një shoqërie në zhvillim e sipër tregon më shumë për ne, se sa për problemin të cilin e kemi shtruar përpara nesh. Tregon, sidomos, për anën tonë humane dhe pjekurimin tonë demokratik.
Një pjesë e jona, çka është sensibilizuar hapur me palestinezët, kundër gjenocidit, krimeve e dhunës së pajustifikueshme nga pala izraelite, u cilësua si «nostalgjike karshi Jugosllavisë dhe Titos»!, nga ata të cilët kanë krijuar vartësi gjenetike nga patronët. Në të vërtetë, të mos kesh qëndrim tëndin, të priresh të mendosh ashtu siç mendon patroni, i bie që ke ngecur në formulën e vjetër: të thuash, të veprosh etj, ashtu siç ta ka imponuar sistemi, siç ka thënë Tito, Enveri etj. Të tillët, edhe shkrimtarin e shquar hebre Amos Oz, do ta kishin cilësuar si “të painkuadruar” e “nostalgjik i Jugosllavisë”. Ky etiketim, përveç që i pështirë, është edhe absurd.
Jo vetëm Oz, por as të gjithë hebrenjtë nuk janë pro zgjerimit të kolonive në pjesën lindore të Jerusalemit, e aq më pak përdorimit të dhunës dhe provokimit të një lufte të gjerë me palestinezët.
Disa thonë se jemi të vegjël dhe duhet t’i shohim punët tona, gjë që është e vërtetë, por çka sa pengon një akt solidarizimi me një popull të shtypur, përtej detyrave ditore?
Jo por, politikanët (e korruptuar), palestinezë janë kundër Kosovës, këtë e kanë shfaqur hapur. Po, sepse, përpjekja e politikanëve (të korruptuar) kosovarë, për ndërtimin e lidhjeve me ta ka qenë: 0! Po edhe sikur të na e dëshmojnë të kundërtën, prapë kjo nuk është arsye e fortë për ta ndryshuar pozicionin tonë karshi tyre. Fëmijët e vrarë, nuk i kanë takuar asnjë rryme politike, asnjë ideologjie dhe, mbase, nuk kanë dëgjuar kurrë për Kosovën për sa ishin gjallë.
Pra, edhe një herë, me fëmijët palestinezë, jemenas, afrikanë, ujgurë dhe kudo tjetër ku ndaj tyre bëhet gjenocid, krim, apo ushtrohet dhunë, sepse është turp dhe shpirtvogëlsi të mos rreshtohesh në anën e të shtypurit!