Kanadaja ka paralajmëruar shtetasit e saj që të largohen “menjëherë” nga Etiopia për shkak të konflikteve mes njësive të ushtrisë dhe Frontit Çlirimtar Popullor Tigray (TPLF), transmeton Kosova Post.
“Nëse ndodheni në Etiopi, largohuni menjëherë nga vendi duke garantuar sigurinë tuaj. Fluturimet komerciale mund të kufizohen në të ardhmen. Mundësia jonë për të siguruar ndihmë konsullore, përfshirë edhe Addis Ababa, është e kufizuar”, thuhet në një deklaratë në faqen e internetit të qeverisë kanadeze, shkruan AA.
Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, dje zhvilloi një bisedë telefonike me ambasadorin e Unionit Afrikan (AfB) për Bririn e Afrikës, Olusegun Obasanjo.
U bë e ditur se Trudeau në bisedë ka shprehur “angazhimin e fuqishëm dhe të vazhdueshëm të Kanadasë për të mbështetur përpjekjet për të sjellë zgjidhje paqësore për konfliktin”.
Thirrje të ngjashme deri më sot janë bërë edhe nga shumë vende të tjera, përfshirë Turqinë, Francën, Britaninë dhe SHBA-në.
– Konflikti në Etiopi
Shqetësimet e sigurisë në Etiopi u rritën pasi Fronti Popullor Çlirimtar Tigray (TPLF) dhe aleati i tij Ushtria Çlirimtare Oromo (OLA) iu afruan kryeqytetit Addis Ababa.
Kryeministri i Etiopisë Abiy Ahmed deklaroi se do të shkojë në front kundër rebelëve.
Qeveria e Etiopisë më 2 nëntor shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në vend për shkak të sulmeve të rebelëve të TPLF-së që vazhduan përparimin në jug.
Gjithashtu u formuan njësi të mbrojtjes kundër sulmeve të mundshme që mund të kryente TPFL ndaj kryeqytetit etiopian Addis Ababa.
Konfliktet që vazhdojnë prej më se një viti në veri të vendit kanë zhvendosur rreth 2,5 milionë persona, ndërsa mbi 5 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë emergjente.
Ambasada e Turqisë në Addis Ababa me 22 nëntor u bëri thirrje shtetasve turq që të largohen nga vendi për shkak të rritjes së konflikteve mes njësive të ushtrisë dhe anëtarëve rebelë të TPLF-së.