Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se Riza Alshiqi, i cili dyshohet se shfrytëzoi parkingun e pronës së këtij institucioni për vetura me qira, është pezulluar nga detyra si zyrtar i lartë për monitorimin e transportit.
Sveçla përmes një postimi në rrjetin social Facebook tha se bashkë me Alshiqin, janë pezulluar edhe pesë zyrtarë tjerë të Ministrisë.
“Referuar rastit të keqpërdorimit të detyrës nga zyrtari i Ministrisë së Punëve të Brendshme Riza Alshiqi, për përfitimet e biznesit të tij “Rent a car” në dëm të aseteve shtetërore, përveç inicimit të rastit për hetime në Policinë e Kosovës, i njëjti bashkë me 5 zyrtarë të të njëjtit departament sot janë pezulluar nga detyra.
Do të vazhdojmë me përpjekjet tona që të gjithë keqpërdoruesit t’i ballafaqojmë me drejtësi teksa zyrtarët e përkushtuar për punë me profesionalizëm e përkushtim do të jenë në nivelin më të lartë të detyrës e në shërbim të qytetarëve tanë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.