Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka bërë të ditur se më 22 dhjetor 2025, rreth orës 13:50, Stacioni Policor Pejë është informuar për një plagosje me armë zjarri që kishte ndodhur në rrugën “Ahmet Gjikolli” në Pejë.
Njësitë policore kanë reaguar menjëherë dhe në vendin e ngjarjes kanë hasur viktimën, e cila ishte e plagosur nga arma e zjarrit. I lënduari është dërguar fillimisht në Spitalin Rajonal në Pejë, ndërsa më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë për trajtim të mëtejmë mjekësor.
I dyshuari i rastit ishte larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, hetuesit policorë kanë gjetur dhe sekuestruar tri gëzhoja.
Hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime në DRP-Pejë kanë zhvilluar veprime intensive për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit. Me autorizim të prokurorit të shtetit, ishte lëshuar edhe kërkesë për bashkëpunim me qytetarët.
Sot, më 02 janar 2026, rreth orës 12:00, i dyshuari është vetëdorëzuar në polici, duke dorëzuar edhe armën e zjarrit dhe tre fishekë, me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me aktvendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë. Hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.


























