Më 26 nëntor, në Florida të ShBA-së u raportua për një vrasje të dyfishtë. U tha se të vrarë kanë mbetur një çift, pa u specifikuar nacionaliteti i tyre e pa u dhënë detaje mbi rastin.
Por, policia e Hallandalle Beach ka dhënë detaje për Klankosova.tv për rastin tragjik, duke konfirmuar se i vrarë mbeti çifti kosovar.
Sipas policisë amerikane, thuhet se e ndjera Sabrina Krasniqi e ka qëlluar me armë zjarri bashkëshortin e, Pajtim Krasniqi, saj disa herë.
“Me të mbërritur, oficerët zbuluan një skenë tragjike ku përfshiheshin burri dhe gruaja, 34-vjeçari Pajtim Krasniqi dhe 27-vjeçarja Sabrina Krasniqi, të dy të vdekur nga plagët e dukshme me armë zjarri”.
“Përmes hetimeve është konstatuar se Sabrina Krasniqi ka qëlluar për vdekje disa herë bashkëshortin e saj para se t’i merrte jetën vetes. Ngjarja ka ndodhur në banesën e tyre të përbashkët”, thuhet nga Polica e Hallandalle Beach.
Ndër tjera, nga policia ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave.
Për rastin në fjalë ka reaguar motra e të ndjerit e cila ka thënë se vëllain e saj e vrau gruaja e tij. Madje ajo e quan tradhti këtë akt, pasi sipas saj, i ndjeri e donte dhe i besonte aq shumë gruas së tij.
“Festën e Falënderimeve nuk e kalova me burrin dhe fëmijët e mi. Nuk e kalova me miqtë e mi. Këtë ditë e kalova me policët, hetuesit dhe lajmet që flisnin për vrasjen e egër dhe të pakuptimtë të vëllait tim të vogël nga gruaja e tij”, ka shkruar motra e viktimës në Facebook.
“Gruaja e Pajtimit zgjodhi t’ia merrte jetën vëllait tim, kur ajo e qëlloi me pesë plumba në krahërorin e tij. Personit të cilin i besonte kaq shumë, personin të cilin e zgjodhi të kalonte jetën edhe ia mori. Ajo e tradhtoi atë, dashurinë dhe besimin e tij. Ajo e shkatërroi familjen time. Unë dhe vëllezërit e motrat e mia nuk do të jemi më kurrë njësoj. Jam e tmerruar që nëna ime nuk do ta kalojë kurrë këtë. Të dua përgjithmonë Pajtim”, ka shkruar mes tjerash Albana Krasniqi.
Rrethanat e vrasjes ende mbesin të paqarta dhe nuk dihet motivi i këtij akti.