Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Zyrën Ndërlidhëse të Turqisë në Prishtinë, ka përmbyllur me sukses një trajnim të specializuar me fokus në luftimin e basteve dhe lojërave të paligjshme të fatit online.
Trajnimi u zhvillua në ambientet e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri nga data 26 deri më 30 maj 2025.
Ceremonia përmbyllëse e trajnimit u nderua me pjesëmarrjen e Atasheut të Policisë dhe të Xhandarmerisë Turke, përfaqësuesve të Ambasadës së Turqisë në Prishtinë dhe zyrtarëve të lartë të Policisë së Kosovës. Gjatë kësaj ceremonie u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar në përballjen me sfidat në rritje të krimit të organizuar digjital.
Ky trajnim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve profesionale të Policisë së Kosovës dhe një dëshmi e përkushtimit të saj në modernizimin e luftës kundër krimit kibernetik.
Policia e Kosovës mbetet e angazhuar në mbrojtjen e rendit dhe ligjit, duke avancuar vazhdimisht në përgatitjen profesionale të stafit të saj.


























