Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vëmendje të shtuar po përcjellin zhvillimet në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Aleksander Kasanof, thotë se ka çështje në rajon që sipas tij Uashingtoni do të shohë më shumë progres dhe të shtyjë përpara edhe më shumë këtë proces.
Këtu ai flet për dialogun kosovaro-serb, që lehtësohet nga Bashkimi Evropian (BE).
“Ka rrugë të rëndësishme për Shtetet e Bashkuara që të eksplorohen, në bashkëpunim me Kosovën, me Serbinë si dhe me Bashkimin Evropian, që të shohim se si ne mund ta çojmë këtë përpara. Ne mendojmë se është kritike që të shohim progres. Sepse kjo është një shenjë për pjesën tjetër të rajonit, dhe është një kriter për përparim”, tha Kasanof, raporton Klan Kosova.
Si panelist në një debat të mbajtur në kryeqytetin amerikan nga nisma “Pupin” me seli në Beograd e Uashington, më 18 shtator, Kasanof foli për një mundësi të “jashtëzakonshme” për Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Bosnjën, e Maqedoninë e Veriut.
Madje, thotë se ky është një “rast historik” ku sipas tij për herë të parë pas një kohe të gjatë, gjërat që ishin të pamundura, tani janë të mundshme.
Kasanof u emërua zëvendës ndihmës sekretar i shtetit për Ballkanin Perëndimor, saktë dy muaj më parë, më 19 korrik. Para tij këtë titull diplomatik e mbajti Gabriel Escobar.