Nga Sead Zimeri
Midis pragmatizmit disfatist dhe idealizmit rregullativ
Shumë herë dëgjoj realistët të thonë se duhet të bëhemi pragmatistë në marrëdhëniet tona politike me të tjerët. Idealizmi është utopi dhe si i tillë nuk ka vend në këtë botë ku marrëdhëniet përcaktohen nga fuqia dhe interesi.
Është plotësisht e vërtetë që marrëdhëniet politike strukturohen nga fuqia reale apo imagjinare që kemi. Politika nuk bëhet me ata që nuk kanë asnjë forcë t’i dominojnë të tjerët.
Në politikë, ata që kanë fuqinë ose ushtrinë më të madhe përcaktojnë edhe vlerën e atyre që kanë më pak forcë.
Por në të njëjtën kohë, do të ishte absolutisht e pavërtetë të thuhet se forca është përcaktiesi i vetëm në politikë. Nëse do të ishte kështu, shtetet e vogla nuk do të ekzistonin, por do të kishim shtete relativisht të barabartë në fuqi.
Pra, nëse do të ishte e vërtetë që politika strukturohet vetëm në forcë, atëherë do të kishim një realitet gjeopolitik krejtësisht të ndryshëm nga ai që kemi sot.
Për fat të mirë, politika përfshin edhe konceptin moral të së drejtës, të mirës dhe të interesit të përgjithshëm. Pra pushteti nuk është koncepti i vetëm që strukturon marrëdhëniet politike.
Nëse është kështu, atëherë këmbëngulja se duhet të jemi me çdo kusht pragmatikë dhe realistë rezulton të jetë një qëndrim disfatist, i njëanshëm, por edhe deformues i proceseve politike që formësojnë këto marrëdhënie.
E thënë pak më ndryshe, pragmatizmi për të cilin po këmbëngulin kritikët e Kurtit është një qëndrim ideologjik që nuk i shërben interesave të Kosovës, por të Serbisë. Thirrja për pragmatizëm është që të pranohen kërkesat e Serbisë, sepse këtë duan fuqitë e mëdha.
Pra, kjo ka kuptim vetëm nëse premisa fillestare është e njëanshme, ideologjike që i shërben interesave të Serbisë. Pra, pragmatizmi nuk është një qëndrim i paanshëm, por një qëndrim ideologjik që maskohet si një qëndrim realist, i arsyeshëm dhe racional.
Kjo që thashë nuk do të thotë se marrëdhëniet politike në botë janë ideale dhe të drejta. Nuk ka dyshim se fuqitë më të mëdha shfrytëzojnë në maksimum popujt dhe shtetet e dobëta, sidomos shtetet që nuk binden.
Por edhe kur shtetet e mëdha hyjnë në aventura të paligjshme ndaj shteteve më të dobëta, dënohen nga të tjerët si shkelës të konventave që ata vetë kanë nënshkruar. Forma të ndryshme sanksionesh detyrojnë edhe vendet më të mëdha të mendohen dy herë përpara se të hyjnë në aventura të tilla.
Idealizmi nuk është një qëndrim që kërkon shmangien e plotë të pragmatizmit dhe realizimit. Përkundrazi, kërkon që të bëhen vlerësime të arsyeshme që të çojnë në një shoqëri ideale brenda kushteve në të cilat funksionojnë qytetarët si agjentë politik.
Të kesh një ideal nuk do të thotë që një person racional beson në të pamundurën, të parealizueshmen. Do të thotë se njeriu duhet të përdorë idealet në atë mënyrë që çdo vendim që merr sot të na afrojë me idealin tonë. Do të thotë të mos marrim vendime që na largojnë nga idealet tona.
Pragmatizmi pra duhet të përshkohet nga idealizmi që të mos kthehet në cinizëm apo filozofi nihiliste. Idealet shërbejnë si “ideale rregullatore” që rregullojnë aktivitetet tona, por nuk i përbëjnë ato.
Në këtë kuptim politika pa ideale nuk është emancipuese por madje krijon kushtet që tjetri të na sundojë më lehtë.
Kriteret me të cilat duhet të masim suksesin politik nuk janë nëse kemi bërë mjaft lëshime dhe kompromise, nëse jemi treguar pragmatikë në qasjet ndaj çështjeve politike dhe nëse kemi arritur qëllime specifike politike që të tjerët na kanë vendosur.
Kriteri i suksesit politik është se sa larg kemi udhëtuar drejt realizimit të idealeve tona për liri, barazi, dhe mirëqenie për qytetarët. Të gjitha lëshimet duhet të vlerësohen në dritën e këtij përparimi drejt idealit. A janë përmirësuar kushtet tona? A është shteti ynë më i siguruar tani se sa ishte para një dekade? A kemi siguruar kushte për lirinë tonë si mosdominim?
Nëse kemi arritur progres në këtë drejtim, atëherë të gjitha lëshimet janë legjitime. Nëse nuk kemi arritur t’i afrohemi idealeve, atëherë të gjitha lëshimet jo vetëm që ishin të kota, por ato na e shtojnë varësinë nga të tjerët.