Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se shansi për paqe në Rripin e Gazës pas armëpushimit humanitar është humbur për momentin, për shkak të qasjes pa kompromis të Izraelit.
“Ne gjithmonë kemi theksuar se jemi për një armëpushim të përhershëm, jo për një pauzë humanitare. Kishte një mundësi për paqe, por për fat të keq ne e kemi humbur atë mundësi tani për tani për shkak të qasjes pa kompromis të Izraelit”, tha Erdogan.
Presidenti turk u tha gjithashtu gazetarëve gjatë rrugës nga Emiratet e Bashkuara Arabe, se ai nuk po e humb shpresën për paqe të qëndrueshme në Gaza.
Sipas tij, Hamasi nuk mund të përjashtohet nga një zgjidhje e mundshme e konfliktit izraelito-palestinez.
“Duhet të fokusohemi në një zgjidhje me dy shtete. Eliminimi i Hamasit ose shkatërrimi i tij nuk është një skenar realist”, tha Erdogan.