Presidenti i Komitetit Olimpik të Evropës (EOC), Spyros Capralos, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, ka deklaruar se xhudoja është sporti ku Kosova e ka dëshmuar veten dhe po shkëlqen, raporton Anadolu, transmeron KosovaPost.
Capralos në një konferencë për media të mbajtur në Prishtinë bashkë me presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, tha se Lojërat Mesdhetare 2030 të cilat do të mbahen në Kosovë janë arritje e madhe. Ai theksoi se KOK-u ka bërë një punë të madhe duke bindur të gjithë me një diplomaci sportive se “Kosova mund t’i organizojë këto lojëra”.
Sipas tij, Kosova vazhdimisht po bën përparime në kualitetin e sportistëve dhe në infrastrukturë, ku veçoi sukseset në xhudo.
“Vitin e ardhshëm kemi Lojërat Olimpike në Paris. Ju ia dolët të fitoni medalje të artë olimpike në xhudo në Rio dhe ju e dyfishuat këtë arritje me dy medalje të fituara në Tokio dhe tani besoj se ende keni apetit të madh për të marrë sa më shumë medalje në Paris”, theksoi Capralos.
Ai tha se në të ardhmen beson se “Kosova do të ketë medalje edhe në sporte të tjera, jo vetëm në xhudo”.
Krasniqi, nga ana e tij, tha se presidenti Capralos është impresionuar me të arriturat sportive të Kosovës.
Krasniqi tha se paraprakisht, bashkë me Capralos janë pritur në një takim edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me të cilin kanë diskutuar veçanërisht për Lojërat Mesdhetare 2030.
“Diskutuam rreth të gjitha aktiviteteve dhe bashkëpunimeve midis KOK-ut dhe Komitetit Olimpik Evropian (KOE). Pa dyshim që tema kryesore ishte marrja e Lojërave Evropiane, ku mbështetje të veçantë kemi pasur edhe nga presidenti Capralos, të cilin e falënderoj nga zemra, sepse pa një mbështetje të tillë nuk do të ishte e mundur t’i marrim këto lojëra”, tha Krasniqi.
Capralos përveç takimit me kryeministrin Kurti është takuar edhe me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
Kosova do të jetë organizatorja e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030, me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG). Kosova pritet të investojë mbi 250 milionë euro për organizimin e kësaj ngjarjeje të madhe sportive.

























