Ka nisur konferenca për media e Presidentes, Vjosa Osmani me kryetarin e Komunës së Klinës, Zenun Elezaj.
Përveç pjesës së bashkëpunimeve me këtë komunë, presidentja edhe sot është deklaruar për dorëheqjet e fundit të zyrtarëve serbë nga Policia e Kosovës dhe presionin e shantazhin që po u bëhet atyre nga Serbia.
“Momenti i fundit kur i numërova numri i dorëheqjeve kishte shkuar deri në 7. Sipas hetimeve të institucioneve tona shkas për këtë është frikësimi e shantazhimi ndaj tyre nga Serbia. Ky shtet fatkeqësisht po vazhdon me agresion të hapur ndaj Kosovës. Po vazhdojnë që me institucionet e veta ilegale në Kosovë t’i bëjnë shantazh qytetarëve serbë, të cilët janë pro integrimit. Veprimet e tilla janë shkelje flagrante të marrëveshjeve të parapara. Pres nga BE që të ndërmarrë veprime ndaj Serbisë dhe Vuçiqit për shkeljet e marrëveshjes së Brukselit por edhe për shkeljet e standardeve ndërkombëtare”, ka thënë Osmani.
Tutje ajo ka thënë se autori i vetëm i këtyre dorëheqjeve është Serbia.
“Ma kanë konfirmuar në çdo takim që presioni ndaj policëve serbë vjen nga strukturat e tyre paralele, autori është në Beogradi”, ka thënë ajo.
Ndërkaq dje edhe Shtetet e Bashkuara dhe misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) kanë shprehur shqetësim, pasi thanë se tre pjesëtarë serbë të Policisë së Kosovës kanë dhënë dorëheqje.
Kujtojmë se në nëntor të vitit të kaluar, pjesëtarët serbë të policisë në veri të Kosovës kishin dhënë dorëheqje, si pjesë e dorëheqjeve kolektive të zyrtarëve serbë në komunat veriore – Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut – në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.
Për të përmbushur vakumin e krijuar pas dorëheqjeve, autoritetet në Kosovë shpallën konkurs për pranimin e policëve të rinj.
Në korrik të këtij viti 74 policë të rinj nga komunitetet joshumicë, prej tyre numri më i madh nga komuniteti serb kishin filluar punën në Policinë e Kosovës.


























