Kudo që dëgjohet dhe nga kushdo që dëgjohet, Albini miratohet me duartrokitje.
Do të ishte miratuar e duartrokitur edhe nga sekretari Blinken, kryekomisionerja von der Leyen, kryeministri Sunak, etj.
PO TË DËDJOHEJ!
Por ata dëgjojnë vetëm Vuçiqin përmes Borrellit, Lajçakut, Escobarit dhe Hillit, mbështetësit e njëanshëm e të vendosur të Vuçiqit. Të keqinformuar prej tyre por me besim në informacionin që u jepet prej tyre, administrata e SHBA, EU dhe UK, janë bërë, besoj fort se pa dashje, palë me Serbinë e Vuçiqit përballë miqëve të vërtetë të tyre në rajonin tonë.
Gabimi është i tyre, por kosto është e jona.
.II.
Pse Escobari, Hilli, Borrelli e Lajçaku mashtrojnë eprorët e tyre në favor të Serbisë, mund vetëm të hamendësoj mbi hamendësimet e tyre:
1. Ndoshta besojnë se e shkëpusin Serbinë nga Rusia, sidomos lidhur me agresionin rus ndaj Ukrainës. Por ky hamendësim duket pak i besueshëm, sepse qëndrimi i Serbisë nuk është vendimtar për fitoren e Ukrainës dhe mposhtjen e Rusisë;
2. Ndoshta i frikësohen Serbisë se mos hap një front të dytë lufte, ose të tretë, në rast konflikti SHBA-Kinë lidhur me Tajvanin, dhe SHBA, NATO, etj., nuk duan dy fronte lufte njëkohësisht. Por, për asnjërin rast ky hamendësim nuk duket fort i besueshëm, sepse sjellja e Serbisë nuk është vendimtare për ndalimin ose shpërthimin e luftës SHBA-Kinë.
3. Ndoshta shpresonin se duke u deklaruar kundër Kosovës e nxisin Vuçiqin për veprime të armatosur kundër nesh, dhe me këtë legjitimohen aleatët tanë për veprim po të atillë kundër tij. Por edhe ky hamendësim duket i pabesueshëm. E para sepse Vuçiqi ka mësuar të mos bie në skenarë të tillë siç ra Millosheviqi mbas deklaratës se UÇK është organizatë terroriste: “Millosheviqi ka pasur qëllime të drejtë, por metoda të gabuara” – pat thënë pak a shumë Vuççiqi. E dyta, këtë skenarë mund ta dekonspirojë ambasadori Hill, simpatizant (gati këshilltar) i hapur i Vuçiqit.
4. Hamendësimi më i besueshëm më mbetet njëanshmëria subjektive e Borrellit, Lajçakut, Eskobarit dhe Hillit krah Vuçiqit. Duke qenë subjektivisht mbështetës të Vuçiqit, subjektivitet motivin e të cilit nuk mund ta di tani, raportet drejtuar eprorëve të tyre shtrembërohen nga ndjenjat e tyre, dhe në vend të përshkrimit real të sjelljes së Serbisë në Rajon transmetojnë njëanshmërinë e vet personale. Sigurisht, është e kuptueshme që eprorët t’u besojnë raportimeve të tyre, sepse janë të dërguarit e tyre.
5. Mund të bëhen shumë hamendësime lidhur më njëanshmërinë e administratave të SHBA-së, BE-së, MB-së, etj., në krah të Serbisë dhe kundër Kosovës, por mbetet e vështirë të kuptohen pse. Këtë s’po mund të kuptojnë as kryetarët e komiteteve gjegjës për punët e jashtme, qoftë të Senatit amerikan, qoftë të Parlamentit Europian, të Mbretërisë së Bashkuar, apo të parlamenteve nacionale.
Për fund, një gjë dihet: mbështetja e pakusht ndaj Vuçiqit nga Hill, Lajçak, Borrell dhe Escobar, ka shqetësuar gjithë shtetet e Ballkanit, me përjashtim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.


























