Një ndër komentatorët kryesor të çështjeve ballkanike, studiuesi dhe historiani britanik, Marko Attila Hoare, në një intervistë për Albanian Post, përveç shprehjes së skepticizmit rreth zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, tha se e njëjta do t’i sigurojë Serbisë një bazë për të kërkuar diçka më shumë në Kosovë, ngase sipas tij, udhëheqja në Serbi po mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Marrëdhëniet nuk do të normalizohen për sa kohë që Serbia mbetet e përkushtuar në minimin dhe zhdukjen e pavarësisë së Kosovës, gjë që do mund të jetë e parashikueshme në të ardhmen. Në këto rrethana, përpjekja drejt normalizimit mbi bazën e lëshimeve të ndërsjella është budallallëk”, tha Hoare, i cili është profesor i Shkencës Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Sarajevës.
Prandaj, në vend të presionit ndaj Kosovës për të themeluar këtë mekanizëm – prioriteti më i madh aktualisht në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve – Hoare theksoi se Perëndimi duhet të punojë në forcimin e sovranitetit të Kosovës, të heqë dorë nga “budallallëku” siç është realizimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe ta detyrojë Serbinë të braktisë irredentizmin.
Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, vlerësohet të jetë një mekanizëm i dytë i madh për serbët e Kosovës – pas votës së kualifikuar, që për çështjet që prekin interesat e komunitetit serb, është një lloj vetoje – porse, atë po e kërkon një “palë e tretë” nën kontrollin e tij, me idenë e interferimit në një sistem të brendshëm kushtetues. Perëndimi po insiston se ky mekanizëm është prioriteti më i madh në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Nga Albanianpost.com