Policia e Kosovës ka konfirmuar se Enver Sekiraqa nuk është gjetur në shtëpi gjatë së premtes dhe të shtunës, pas vendimit të Gjykatës së Apelit për kthim në paraburgim.
Në një përgjigje për teve1.info, policia thotë se kanë ndërmarrë të gjitha masat për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare dhe drejtoritë rajonale policore.
E kyeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj për RTKlive, nuk ka dashur që të komentojë zhvillimet lidhur me rastin e Sekirarës.
“Nuk dua të komentoj, ne e kemi bërë punën tonë”, tha kryeprokurori Isufaj.
Ndryshe, orë më parë burime të Tëvë1 kanë thënë se Sekiraqa është arratisur nga shtëpia dhe i njëjti aktualisht ndodhet në arrati.
Departamenti Special e ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 03.05.2024, e ka ndryshuar, pasi sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore Enver Sekiraqa u dënua me 25 vite dënim me burgim dhe në shpallje të aktgjykimit, gjyqtari e kishte liruar nga masa e arrestit shtëpiak.
Nuk dihen rrethanat se si ka ardhur deri tek arratisja e Sekiraqës, mirëpo i njëjti nuk është në vuajtje të dënimit.
Sekiraqa u shpall fajtor për nxitje të vrasjes të policit Triumf Riza.
Për herë të parë në vitin 2016 Sekiraqa ishte dënuar me 36 vite burgim kurse sërish në vitin 2019 me 20 vite burgim.
Ish-polici, Triumf Riza, është vrarë më 30.08.2007 në Prishtinë.