Të arrestuarit në Banjskë të Zveçanit, që dyshohet se ishin në kontakt me sulmuesit e Policisë së Kosovës, kanë shtetësi të Serbisë, konfirmon prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Naim Abazi.
Ai shton se disa nga të arrestuarit, përveç nënshtetësisë serbe, kanë edhe dokumente të Kosovës, por nuk specifikon se sa prej tyre kanë të tilla.
Sipas tij, të gjithë ata janë ende në proces të intervistimit.
Më 24 shtator, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 syresh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.
























