Prokuroria Themelore e Prishtinës ka thënë se nuk ka lëshuar autorizim për bastisjet dhe kontrollet që u kryen sot nga Policia e Kosovës në dhjetë komuna të vendit, për mbylljen e komunave paralele të Serbisë në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj, si dhe posta e zyre tatimore ilegale.
Prokuroria ka theksuar se prokurori i shtetit nuk ka autorizuar kryerjen e kontrollit apo bastisjes në këto lokacione, për shkak se nuk ka pasur ndonjë kërkesë zyrtare me shkrim për kryerjen e këtij aksioni nga ana e institucioneve gjegjëse dhe se s’është ofruar kurfarë prove së është duke u kryer ndonjë vepër penale.
“Prokurori i shtetit duke pasur parasysh faktin që me këtë rast nuk janë përfillur procedurat e nevojshme të përcaktuara decidivisht në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, nuk ka mundur që në rastin konkret të lëshohet çfarëdo autorizimi. Prokurori i shtetit është i gatshëm dhe i përkushtuar në ndjekjen e veprave penale dhe kryerësve të tyre, gjithmonë duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, si dhe duke u bazuar në parimin e barazisë dhe mos diskriminimit të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim e Prokurorisë së Prishtinë.