Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka kërkuar që ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, të dërgohet në paraburgim “sapo të arrestohet” si i dyshuar për përvetësim gjatë detyrës zyrtare.
Prokuroria tha se masa e paraburgimit duhet të zbatohet menjëherë pas lokalizimit dhe arrestimit të Grubit, i cili besohet se ndodhet jashtë vendit.
Policia e Maqedonisë së Veriut ditë më parë bastisi shtëpitë e Grubit dhe ish-drejtorit të Lotarisë, Përparim Bajrami.
Në kuadër të hetimeve, dhe bastisjeve në lokacione të ndryshme, përfshirë shtëpitë e Grubit dhe Bajramit, janë siguruar prova që ngjallin dyshime se dy të akuzuarit, si persona përgjegjës në Shoqatën Aksionare, Lotaria Shtetërore, gjatë vitit 2023, kanë shkaktuar “dëme në buxhetin e Shoqatës në vlerë mbi 8 milionë euro, duke përvetësuar pasuri në mënyrë të kundërligjshme”.
Përvetësimi i pasurisë së paligjshme nga një zyrtar gjatë detyrës është i dënueshëm me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet, sipas Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut.
Përveç Grubit e Bajramit, në mesin e të dyshuarve bëhet fjalë edhe për ish-kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski.
Grubi dhe Bajrami nuk janë gjetur në asnjërën prej shtëpive të bastisura.