Protesta e madhe më 15 mars në Serbi: Studentët udhëheqin betejën për drejtësi

Studentët që nga dhjetori drejtojnë protestat dhe bllokadat e fakulteteve kanë thirrur qytetarët në një tubim masiv në Beograd, i cili do të mbahet të shtunën, më 15 mars. Protesta, e organizuar nën sloganin „Më 15 mars për 15“, ka për qëllim të kujtojë 15 viktimat e rrëzimit të Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, si dhe të dërgojë një mesazh të qartë ndaj autoriteteve, kërkesat për drejtësi dhe përgjegjësi nuk do të heshtën.

Në Beograd tashmë po mbërrijnë studentë nga të gjitha anët e Serbisë. Javën e kaluar, studentët nga Subotica dhe Nishi u nisën në këmbë drejt kryeqytetit, ndërsa rrugës iu bashkuan kolegët e tyre nga Loznica, Kraljeva, Çaçaku, Uzhica, Kragujevci dhe qytete të tjera. Po ashtu, protestës do t’i bashkohen çiklistët, motoristët, bujqit me traktorë, si dhe shumë qytetarë që po organizohen me makina dhe autobusë. Organizatorët presin që ky të jetë protesta më e madhe deri më tani.

Protestat kundër qeverisë kanë vazhduar për gati katër muaj dhe udhëhiqen nga studentët, të cilët, përveç përgjegjësisë për tragjedinë në Novi Sad, kërkojnë shtet ligjor, demokraci dhe liri të mendimit. Qytetarët që janë bashkuar me ta shprehin hapur kundërshtimin e tyre ndaj mënyrës autoritare të qeverisjes së presidentit Aleksandër Vuçiq. Organizatorët theksojnë se protesta e së shtunës nuk është një protestë përfundimtare, por një pjesë e një procesi të gjatë ndryshimesh shoqërore.“Në prag të protestës së madhe studentore, ne po dërgojmë mesazhin se më 15 mars së bashku po shkruajmë historinë. E gjithë Serbia do të dalë në rrugët e Beogradit për të treguar se nuk pajtohet me padrejtësinë. Të gjithë ata që mendojnë se ky është fundi, duhet ta dinë se ky nuk është një hap përmbyllës, por një ndryshim tektonik“, kanë shkruar studentët në bllokadë në rrjetet sociale.

Ndërkohë që studentët theksojnë se protesta do të jetë paqësore dhe dinjitoze, autoritetet po e cilësojnë atë si “ditën D”.

Presidenti serb, Vuçiq ka deklaruar se më 15 mars do të ketë “dhunë të madhe”, duke paralajmëruar arrestime dhe duke akuzuar opozitën për organizim të trazirave, pa ofruar prova. Qeveria e Serbisë ka diskutuar për protestën në një mbledhje të mbajtur më 10 mars, por nuk ka bërë të ditur asnjë detaj.Pika kryesore e grumbullimit do të jetë përpara Kuvendit të Serbisë, ku organizatorët presin një pjesëmarrje masive. Autoritetet ndërkohë kanë shtuar tensionet, duke ngritur “kampin e çadrave” në Parkun ‘Pionir’ përballë Kuvendit. Aty janë vendosur grupe të organizuara të mbështetësve të regjimit, përfshirë veteranë të njësive paramilitare, të dënuar të Tribunalit të Hagës, figura të botës së krimit dhe huliganë të klubeve të futbollit, të cilët po mbështeten nga zyrtarë të lartë të qeverisë.

Studentët në bllokadë i kanë bërë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme të largojë kampin dhe të sigurojë një nivel të lartë mbrojtjeje për pjesëmarrësit e protestës. Kuvendi i Serbisë njoftoi sot se, për arsye sigurie, ndërtesat e Kuvendit të Serbisë do të jenë të mbyllura nga sot deri të hënën, me qëllim që të “bëhet gjithçka që është në fuqinë e tyre që tubimi i paralajmëruar më 15 mars në Beograd, para Kuvendit, të zhvillohet pa asnjë incident”.

Në ditët para protestës, mediat proqeveritare kanë intensifikuar propagandën, duke e paraqitur protestën si përpjekje për destabilizim dhe dhunë të organizuar. Paralelisht me këtë, autoritetet po përpiqen të kufizojnë lëvizjen e qytetarëve drejt Beogradit. Më 14 mars, është njoftuar se të gjitha linjat hekurudhore janë pezulluar për shkak të “alarmit për bomba”, ndërsa nga shumë qytete janë anuluar linjat e autobusëve për në kryeqytet. Opozita e ka dënuar këtë vendim, duke e cilësuar si një përpjekje për të sabotuar protestën.Edhe pse partitë opozitare e kanë mbështetur protestën, ato kanë theksuar se nuk do të marrin rol udhëheqës, por do të veprojnë në përputhje me kërkesat e studentëve. Disa prej tyre kanë organizuar grupe operative për të ndihmuar qytetarët, ndërsa të tjera kanë njoftuar hapjen e zyrave për ndihmë juridike dhe mjekësore për demonstruesit.

Në një atmosferë tensioni në rritje, Sinodi i Kishës Ortodokse Serbe ka bërë thirrje për qetësimin e situatës, duke theksuar se “dhuna duhet të refuzohet në tërësi” dhe duke kërkuar dialog dhe respekt të ndërsjellë.

Studentët në bllokadë vazhdojnë të këmbëngulin për përmbushjen e kërkesave të tyre kryesore. Kërkesa e parë është publikimi i të gjithë dokumentacionit mbi rindërtimin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, në mënyrë që të përcaktohet përgjegjësia politike dhe penale për tragjedinë. Ata gjithashtu kërkojnë ndëshkimin e të gjithë atyre që kanë sulmuar protestuesit dhe ndalimin e ndjekjeve gjyqësore ndaj qytetarëve të arrestuar gjatë protestave.

Qeveria pretendon se të gjitha kërkesat e studentëve janë përmbushur, por një komision ekspertësh nga Senati i Universitetit të Beogradit e ka mohuar këtë.rtk

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish

Tjera nga rubrika