Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar të martën Termocentralin “Kosova B” të KEK-ut, në të cilin janë duke u bërë remontet në përgatitje për sezonin e dimrit, i shoqëruar nga Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Në njoftimin për media thuhet se qëndrimi në KEK, kishte në fokus jo vetëm vëzhgimin nga afër të kushteve dhe punës që zhvillohet atje, por veçanërisht edhe bashkëbisedimin me punëtorët e KEK-ut, në lidhje me angazhimin e tyre dhe sfidat me të cilat përballen ata.
Sot KEK-ut po i bashkohen 149 punëtorë të rinj, për të cilin kryeministri nënvizoi rëndësinë e shtimit të kuadrove të reja dhe inkuadrimit të sa më shumë të rinjve e të rejave.
“Ne e duam dhe e vlerësojmë lart KEK-un si burim natyror i energjisë, si kapacitet prodhues e zhvillimor, por njëkohësisht edhe si organizatë e punëtorëve që po zgjerohet sot,” shtoi kryeministri.
Kryeministri theksoi se KEK-u është jetik për ekonominë e Republikës së Kosovës dhe rritja ekonomike që e ka shteti ynë në tri vitet e fundit, mesatarisht 6.2 për qind të bruto produktit vendor, nuk do të ishte i mundur pa energjinë që vjen nga ky vend dhe nga puna e palodhshme e punëtorëve atje.
Në përfundim, kryeministri ju dëshiroi suksese e punë të mbarë punëtorëve të rinj, si dhe shprehu përkrahjen e palëkundur të Qeverisë për KEK-un.