Punëtori i Fatmir Shehollit akuzon eprorët e UÇK-së se ishin pjesë e BIA-së

Arrestimi i Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit nga autoritetet e Kosovës për dyshime lidhur me spiunazh për Agjencinë për Siguri dhe Informim të Serbisë (BIA) ka ngritur një valë debatesh në opinionin publik në Kosovë.

Në kuadër të këtij debati, ish-zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim në Kosovë, Milazim Gashi, bëri një deklaratë që nxiti reagime gjatë emisionit “Debat Plus” në TV Dukagjini, duke pretenduar se disa eprorë të UÇK-së ishin pjesë e BIA-së serbe.

Gashi deklaroi se disa komandantë të UÇK-së, të cilëve u këndohen këngë, kanë qenë anëtarë të BIA-së serbe. Megjithëse, ai, nuk përmendi emra konkretë dhe nuk ofroi prova për akuzat e tij, pretendimet e tij ishin tronditëse. Ai gjithashtu shtoi se në Kosovë mund të jenë deri me qindra agjentë të BIA-së dhe se Prokuroria e Kosovës i ka emrat e tyre që prej 15 vitesh.

Kur moderatori i emisionit, Ermal Panduri e pyeti Gashin nëse po bënte propagandë, ai u përgjigj ashpër, duke thënë: “Unë nuk jam propagandues, ki kujdes çka po fol. Ti nuk e di ku jam i lidhur unë, ki kujdes çka po fol”.

Pas insistimit të moderatorit, Gashi pranoi se punon për Institutin për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike (IAMN), të drejtuar nga Fatmir Sheholli. Ky i fundit e ka pranuar publikisht se ka punuar për Sigurimin Shtetëror Serb.

Gjatë emisionit, u shfaq edhe një dokument nga arkivi i viteve ’90, ku 44 kryefamiljarë të familjes Sheholli deklaronin distancimin e tyre nga Maliq Sheholli dhe i biri, Fatmir Sheholli, me pretendimin se ata ishin në shërbim të pushtuesit serb.

Megjithatë, Gashi e mbrojti veprimtarinë e Shehollit, duke e cilësuar atë si një strukturë të shtetit të Kosovës dhe bartës të informatave të klasifikuara. “Albini më shumë po tutet prej tij se prej Vuçiqit, o burrë. Fatmir Sheholli është strukturë e shtetit të Kosovës. Ai është bartës i informatave të caktuara, të modifikuara, të klasifikuara”, deklaroi tutje Gashi.

Deklaratat e Gashit ngjallën reagime në studio nga panelistët e tjerë, por edhe në opinion. Analisti politik dhe ish-ushtari i UÇK-së, Ilir Mirena kërkoi që policia dhe prokuroria ta marrin në pyetje Gashin për të zbuluar emrat e pretenduar prej tij të eprorëve të UÇK-së që kanë punuar për BIA-në. “Nëse s’ka emra, kjo i bie që ky vet është në shërbim të BIA-s për me e njollosë UÇK-në dhe me e amortizu arrestimin e udbashëve të BIA-së që ndodhi javëve të fundit në Kosovë,” shkroi Mirena në Facebook.

Ndaj deklaratave të Gashit ka pasur edhe reagime të tjera të shumta në rrjete sociale.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish

Tjera nga rubrika