Presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar një dekret për vendosjen e ligjit ushtarak në rajonet Donetsk, Kherson, Luhansk dhe Zaporizhzhia të aneksuar nga Ukraina, transmeton KosovaPost.
Duke folur në një takim të Këshillit të Sigurisë së Rusisë në Moskë, Putin tha se banorët e këtyre territoreve e “shprehën qartë vullnetin e tyre kur votuan në favor të bashkimit me Rusinë”.
Putin tha se Kievi refuzon të pranojë rezultatet e referendumeve në Donetsk, Kherson, Luhansk dhe Zaporizhzhia dhe se kryen akte sabotimi në territorin e Rusisë, duke theksuar se ai e konsideron të nevojshme shpalljen e ligjit ushtarak në këto territore.
“Unë kam nënshkruar një dekret për vendosjen e ligjit ushtarak në këto katër subjekte të Federatës Ruse. Ai do t’i dërgohet menjëherë Këshillit të Federatës për miratim. Për vendimin është njoftuar edhe Duma e Shtetit”, tha Putin.
Sipas dekretit, të publikuar në faqen e internetit të Kremlinit, ministritë e mbrojtjes, të brendshme dhe të urgjencës, si dhe disa organe të tjera duhet të paraqesin propozime për masat e zbatuara në territoret ku është vendosur ligji ushtarak.
Në një dekret tjetër, Putin urdhëroi të shpallet në këto rajone një “regjim të gatishmërisë maksimale” dhe një “regjim i gatishmërisë mesatare” në zonat fqinje me Ukrainën.
Ai po ashtu udhëzoi formimin e zyrave të mbrojtjes territoriale në këto zona dhe forcimin e masave të sigurisë në të gjitha objektet, duke garantuar aktivitetin jetësor të popullsisë, funksionimin e objekteve të transportit, të komunikacionit dhe të energjisë, si dhe të objekteve që paraqesin rrezik të shtuar për jetën e njeriut, shëndetin dhe mjedisin.
Putin urdhëroi edhe evakuimin e njerëzve nga territoret e rrezikshme dhe vendosjen e një regjimi të posaçëm për hyrjen dhe daljen nga territore të tilla, duke sugjeruar ndër të tjera kufizime në lëvizje dhe kontroll të automjeteve që vijnë e dalin./AA