Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka shqiptuar një gjobë prej 20 mijë euro ndaj subjektit politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), pas pranimit të një ankese nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV). Vendimi u mor gjatë një seance të mbajtur më 15 janar 2025.
Sipas PZAP, gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 9 shkurtit 2025, kandidatja për deputete e LDK-së, Xheneta Syka, ka publikuar dhe shpërndarë një material video, ku krahasoi kryeministrin Albin Kurti me Adolf Hitlerin, duke përdorur një gjuhë që, sipas vendimit, nxit urrejtje dhe dhunë.
PZAP konstaton se veprimi i kandidates Syka cenon rëndë nenin 34, pika 1.11, të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme të Kosovës, i cili ndalon përdorimin e gjuhës që provokon ose nxit dhunë dhe urrejtje kundër personave apo grupeve të caktuara.
LDK-së i është lënë një afat prej 15 ditësh për të paguar gjobën, ndërsa vendimi hyn në fuqi menjëherë pas shpalljes së tij.