Qeveria ka zhvilluar mbrëmjen e sotme mbledhje elektronike, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar disa propozime, transmeton KosovaPost.
Në mesin e tyre është edhe vendimi mbi kërkesën e MPJD-së për ndarje buxhetore për mbështetje të qytetarëve të Kosovës të prekur nga situata e sigurisë në Lindjen e Mesme.
Në njoftim u tha se për këtë çështje janë ndarë 500 mijë euro.
Po ashtu, janë ndarë edhe 1,675,000.00 euro për zbatimin e Masave 3.6 dhe 3.8 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Në njoftimin e Kryeministrisë u tha gjithashtu se është miratuar autorizimi i “Ministrit që t’i aprovojë transferet nga nënprogrami ‘Shpenzimet e Paparashikuara’ në ndonjë nënprogram tjetër për shumat individuale deri në 40,000€”.
Është miratuar edhe vendimi për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 370,000.00 euro për Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA).
Dhe në fund, Kryeministria tha se është miratuar propozimi i Ministrisë së Financave për rekomandimin e Presidentes së Kosovës për dhënien e autorizimit ministrit të Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë me KfW për programin në sektorin e Energjisë dhe Klimës për Kosovën.


























