Skender Hyseni nuk do të jetë pjesë e ndonjë ekipi për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo gjë është konfirmuar nga Qeveria e Kosovës, teksa thonë se i njëjti është ftuar vetëm për takim konsultativ dhe jo për të qenë pjesë e ekipit negociator.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë për Express, se ish-koordinatori nacional për dialogun Kosovë-Serbi, Skender Hyseni është ftuar në një takim vetëm për të raportuar për procesin e dialogut në të cilin ka punuar për nëntë muaj në qeverisjen e kaluar.
Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar edhe Hyseni. Ai tha se nuk ka pranuar një ftesë të tillë nga qeveria dhe se nëse do të kishte, Hyseni tha se nuk do ta pranonte.