Në ambiente me lagështi e ndryshk, laborantët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) kryejnë mijëra analiza në ditë – të gjakut, të pështymës, të urinës e të tjera.
Inventari i dëmtuar dhe mungesa e ventilimit ua vështirësojnë punën edhe më shumë, edhe pse aparaturat janë kryesisht të reja.
“Nuk kemi as ku t’i vendosim mostrat për analiza. Jemi shumë ngushtë”, thotë një infermiere e laboratorit të Internes në Klinikën e Biokimisë, që nuk do të identifikohet.
Në Pediatri, përveç aparaturës për analiza që është e re, ambienti i punës dhe inventari duken tejet të vjetër.
“Shpesh, në hapësirat e ngushta ku punojmë, jemi tre ose më shumë teknikë e laborantë”, thotë një punonjëse e laboratorit aty.
Biokimia ka nën menaxhim 12 laboratorë që janë të shpërndarë në klinika të ndryshme të QKUK-së.
REL-i vizitoi disa nga ta – në Klinikën e Pediatrisë, të Infektives, të Dermatologjisë e të tjera.
Në Pulmologji pa se laboratori ishte improvizuar në një korridor, ndërsa frigoriferi ku ruheshin mostrat ishte i vogël dhe i ndryshkur.
Në laboratorin e Emergjencës, mungesa e hapësirave bën bashkë epruvetat, dokumentet e papuçet e stafit.
Ndërsa në Infektive, dollapi ku ruhen dokumente, duket se mezi qëndron.