Kryeministri Edi Rama ka thirrur ditën e martë në Tiranë, në një darkë informale e cila pritet të zhvillohet në vilën 30, përfaqësuesit e të gjitha partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Detajet se çfarë pritet të ndodhë i përcolli në një lidhje direkte me Klan News, gazetari i Klan Maqedonisë, Furkan Saliu.
“Nuk ka pasur shumë informata zyrtare nga partitë për temën e takimit, por nga burime partiake dhe nga ajo që dimë situatën politike këtu, njëra prej temave mund të jetë dhe stabiliteti politik në prag të hyrjes në procedurë për ndryshimet kushtetuese. Tek LSDM dhe BDI, nuk është që grupet parlamentare janë kompakte, duke pasur parasysh se ka deputetë të rebeluar, edhe te BDI edhe në LSDM. Duke ditur miqësinë dhe afërsinë të ish-kryeministrit Zoran Zaev me kryeministrin Edi Rama mund të jetë edhe kjo”.
Gazetari thotë se ftesa e kryeministrit shqiptar u mirëprit nga përfaqësuesit politikë të LSDM-së.
“E mirëpritën takimin e Edi Ramës me përfaqësuesit politikë shqiptarë dhe dje dolën në pres konferencë duke thënë se Edi Rama është një mik i madh i RMV, se RMV me Shqipërinë po rrugëtojnë bashkë drejt integrimit në BE dhe çdo iniciativë me qëllim të mirë është e mirëseardhur për LSDM-në. Nga partitë e tjera nuk ka pasur komente të tjera”.
Të 4 krerët e partive politike shqiptare e kanë konfirmuar praninë e tyre, megjithatë ende nuk dihet sesi do të organizohet ky takim.
“Duke e ditur se në takim kështu ka ndodhur në këtë format ku kanë qenë prezentë të gjithë liderët politikë shqiptare, por nuk e di sa mund të ndodhë kjo edhe njëherë, për shkak se Lëvizja Besa refuzon që të ulet me kreut e BDI, Ali Ahmeti. Ata nuk e kanë refuzuar ftesën, por do të shohim si do të jetë formati i takimit të tyre me kryeministrin Edi Rama. Do të jetë kokë më kokë apo do të jetë së bashku me partitë e tjera, do e shohim nesër”./tvklan.al