Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka deklaruar se pret që rasti i helmimit të qytetarëve të komunës së tij të marrë trajtimin e duhur deri në përfundim të procedurave sipas ligjeve në fuqi.
Këto deklarata Ramosaj i bëri pas konferencës së Prokurorisë Themelore të Pejës, ku i bë e ditur se është ngritur aktakuzë kundër dy zyrtarëve të KRU “Hidrodrini”.
“Komuna e Deçanit mirëpret veprimet e ndërmarra nga prokuroria themelore në Pejë, e cila sot, në konferencën për media, informoj që ka përfunduar hetimet, që kanë të bëjnë me rastin e helmimit të 1500 qytetarëve të komunës së Deçanit nga uji i pijes gjatë muajit korrik 2021. Duke shpresuar që ky rast të merr trajtimin e duhur deri në përfundim të procedurave sipas ligjeve në fuqi”, ka shkruar Ramosaj në Facebook.
Ramosaj ka shtuar se Komuna e Deçanit insiston që të menaxhojë me ujin e pijes.
“Edhe njëherë, me të drejtë ritheksojmë se: Komuna e Deçanit insiston që të ketë në menaxhim dhe të administroj me ujin e pijes në të gjithë territorin e komunës së Deçanit!”, ka shkruar Ramosaj.
Ndryshe, Prokuroria Themelore e Pejës sot ka ngritur aktakuzë kundër dy zyrtarëve të KRU “Hidrodrini” në Pejë, lidhur me helmimin e qytetarëve në korrik të vitit të kaluar.
Prokurori i rastit, Dorjan Juniku, ka deklaruar se aktakuza është ngritur kundër drejtorit të Departamentit Teknik, dhe kundër kimistes së “Hidrodrinit”.
Juniku deklaroi se 872 persona kanë pasur simptoma të cilat iu referohen helmimit nga uji i pijshëm, dhe është konstatuar se kanë pasur bakterin Escherichia Coli dhe bakterin e njohur si “Nova Virus”.
“Mbi 1 mijë e 500 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, mirëpo 872 kanë pasur simptoma të cilat i referohen helmimeve nga uji i pijshëm, për çka edhe nga raporti i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike është konstatuar se kanë pasur bakterin Escherichia Coli dhe bakterin e njohur si Novo Virus, e shkaktuar nga mungesa e klorit dhe testimeve shumë të pakta dhe aspak të rregullta, ashtu siç përcaktohet nga udhëzimet e po kësaj kompanie”, ka deklaruar Juniku.