Sipas një studimi të publikuar aksidentalisht në internet, programet kineze të punës në rajonin Xinjiang janë të hartuara në atë mënyrë që të paktën pjesërisht ta zvogëlojnë popullsinë e pakicës ujgure në këtë rajon.
Raporti i hartuar nga profesorët e Universitetit Nankai u zhduk në mesin e vitit të kaluar, por një kopje e tij u ruajt në arkiv nga Dr.Adrian Zenz.
Ky raport është dëshmi shtesë e përpjekjeve të Kinës për t’i përndjekur ujgurët, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Ekspertët e të drejtave të njeriut dhe disa qeveri i kanë cilësuar këto sjellje të Kinës si gjenocid kulturor. Sidoqoftë, qeveria kineze i ka mohuar akuzat për punë të detyrueshme, duke thënë se programet e punës janë mjet për luftimin e varfërisë.
Megjithatë, në raport thuhet se transferimi i punëtorëve është masë afatgjate që jo vetëm se e pakëson popullatën ujgure në Xinjiang, por edhe metodë e rëndësishme për të ndikuar, për ta shkrirë dhe asimiluar pakicën.
Në raport lihet të kuptohet se autoritetet kineze kanë shkuar shumë larg me masat shtypëse dhe se protestat e ujgurëve kanë bërë që autoritetet lokale dhe provinciale të mos pranojnë në punë pjesëtarë të pakicës gjoja për arsye sigurie. Raporti thotë se kjo gjendje është pengesë serioze për arritjen e qëllimeve të shtetit.