Ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, konsideron se Lista Serbe nuk mori pjesë në procesin e votimit në veri për shkarkimin apo jo të kryetarëve aktualë, për shkak se nuk kanë pasur vota të mjaftueshme.
Kjo sipas tij do të ishte nënkuptuar si një humbje e madhe politike.
“Konsideroj që në këtë rast nuk kanë dashur të marrin një pjesë në votim sepse kanë vlerësuar që nuk mund të kenë një numër të mjaftueshëm të votave dhe kjo do të ishte kuptuar si një humbje e madhe politike. Lista Serbe si e tillë, është SNS i Beogradit i cili Vuçiqi në këtë rast, menaxhon shumicën dërrmuese, prandaj ai vetë kuptoi që kjo do të reflektonte në mënyrë ku ai do të dilte si humbësi i madh”, u shpreh ai.
Në RTV Dukagjini, Rashiqi tha se e vetmja mënyrë të cilën di ta bëjë Lista Serbe është shantazhi.
Pos kësaj ai shton se metodologjia e kërcënimeve dhe manipulimeve importohet nga vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
“Mënyra e vetme që ka ose e di Lista Serbe është shantazhi, kërcënimi, manipulimi… kjo varet prej metodologjisë e cila është e importuar nga Vuçiqi”.
“Unë mund të flasë në emër të atyre serbëve që përfaqësojë unë ose që kanë pasur një gatishmëri të votojnë dhe në emër të tyre mund të them që së pari kam thënë që kemi marrëdhënie të mira apo komunikim të mirë me kryetarët që janë momentalisht në veri. Megjithatë kam theksuar qartë që ne vetë nuk mund të bëjmë asgjë, nëse nuk ka palë tjetër në këtë rast Lista Serbe, nëse merr pjesë ne mendojmë që mund të bëjmë një diferencë por një gjë e tillë nuk ka ndodhur sepse mund të shihni që në politikën e Beogradit nuk ka ndonjë parashikim real… por zakonisht është vetëm improvizim”, ka shtuar Rashiqi.