Komente me mesazhe urrejtjeje dhe thirrje për dhunë kanë vërshuar mediat sociale në Kosovë pas sulmit vdekjeprurës në shkollën “Vlladisllav Ribnikar” në Beograd të Serbisë, më 3 maj, shkruan Kosova Post.
Një nxënës 13-vjeçar atje dyshohet se ka vrarë tetë nxënës dhe një rojë të shkollës.
Komente të ngjashme ka pasur edhe pas një sulmi tjetër në rajonin e Beogradit, që ka ndodhur më 4 maj, kur sulmuesi i dyshuar 21-vjeçar ka vrarë së paku 8 persona në disa fshatra.
Mesazhe të tilla kanë arritur edhe në llogarinë e Kosova Post.
Shfaqja e nivelit kaq të lartë të gjuhës së urrejtjes dhe mungesës së keqardhjes nga kosovarët, sipas Durim Abdullahut, historian dhe ligjërues në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, ndodh për shkak të mostrajtimit të duhur të historisë dhe trashëgimisë së luftës së viteve 1998/99.
“Serbia nuk i ka pranuar krimet e luftës në Kosovë, nuk ka kërkuar falje dhe nuk është treguar e gatshme të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për t’i dorëzuar kriminelët e luftës dhe për të dhënë informacione për varrezat masive, ku janë fshehur trupat e të vrarëve gjatë luftës”.
Abdullahu thotë se në Kosovë, historia e luftës së fundit nuk është shkencëruar siç duhet, ndërkohë që në Serbi thotë se ka dhjetëra botime propagandistike që e mjegullojnë të vërtetën për luftën, e cila ka lënë mbi 9.000 civilë të vrarë – në mesin e të tyre rreth 1.200 fëmijë.
“Reagimet e njerëzve në Kosovë, përfshirë edhe gjuhën e papërshtatshme ose joempatike të përdorur, duhet kuptuar në kuadër të kontekstit të realitetit aktual të trashëgimisë së luftës”, thotë ai.