Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve mbi 90 për qind ka shkuar rinumërimi i vendvotimeve që i janë nënshtruar këtij procesi me vendim të KQZ-së.
Deri në ora 16:00 të kësaj të enjte, siç ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në 34 komuna është përmbyllur procesi i rinumërimit, derisa, sipas tij, kanë mbetur për t’u rinumëruar vetëm edhe 228 vendvotime nga 2, 557 sa janë në total.
“Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e enjte, 29 janar 2026, ora 16:00) janë rinumëruar mbi 90% apo 2,329 nga 2,557 vendvotime. Pra, numri i përgjithshëm i komunave që deri më tani kanë përmbyllur rinumërimin janë 34, ndërkaq kanë mbetur për t’u rinumëruar edhe 228 vendvotime që i takojnë 4 komunave tjera (Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë dhe Suharekë)”, ka njoftuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Ai ka bërë të ditur se në platformën e KQZ-së për rezultate https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/ në hapësirën QNR > Rinumërim, do të paraqiten rezultatet pas numërimit të çdo vendvotimi.
Vendimet e KQZ-së për rinumërim erdhën si rezultat i evidentimit të manipulimit të votave të kandidatëve dhe falsifikimit të rezultateve, për çka u aktivizua edhe Prokuroria e Shtetit derisa një numër komisionerësh janë në masën e paraburgimit,si të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale.
KQZ-ja ka paralajmëruar se me t’i përmbyllur procesi i rinumërimit , në fillim të shkurtit do t’i shpallin rezultatet përfundimtare.


























